
Situata te Sopoti nuk ka asnjë përmirësim, madje këtu diskutohet vetëm për largimin e lojtarëve. Të parët që e lanë këtë ekip ishin Zylyftari dhe Mehmeti, por të njëjtën gjë kanë bërë edhe elbasanasit Tirana e Zdrava, si dhe portieri titullar, Miçja.
Por tashmë pritet që të largohen edhe lojtarët vendës, madje dhe ata më të rinjtë. Kështu, një nga më të lakmuarit te ky ekip është Amarildo Lezi, i konfirmuar si titullar gjatë fazës sëparë. Në gjurmët e tij janë disa ekipe të kategorisë së parë dhe një ekip pretendent nga kategoria e dytë. I kontaktuar nga “Sporti shqiptar”, lojtari pohon se ende nuk e ka bërë zgjedhjen: “Siç dihet, punët te Sopoti nuk janë në rrugë të mbarë dhe kjo bën që situata të jetë e pashpresë.
Problemet financiare janë ato që na shqetësojnë të gjithëve dhe, të gjendur në këto kushte, po mendojmë për një ekip të ri. Ditët e fundit nga ekipi ynë janë larguar shumë lojtarë “jabanxhinj”, të cilët kanë dhënë kontribut të madh këtë sezon. Kështu do të ndodhë edhe me lojtarët vendës, që kanë oferta. Personalisht, kam pasur disa kërkesa nga ekipe të kategorisë së parë, por ende nuk kam vendosur ku do të shkoj.
Gjithashtu, kam pasur edhe një ofertë shumë të mirë nga një ekip i kategorisë së dytë, që pretendon të ngjitet një kategori më lart, por ende nuk jam i vendosur. Më vjen vërtet keq për gjendjen aktuale të Sopotit, por nuk mund të qëndrojmë në këtë ekip,” - u shpreh Lezi, i cili me siguri nuk do të jetë pjesë e Sopotit në fazën e dytë.