Njoftimi ne kohe i makinistit shmang tragjedine. Pezullohen udhetimet drejt Pogradecit

Për pak sa nuk është shndërruar në tragjedi bllokimi i linjës hekurudhore Elbasan-Pogradec dje në mesditë. Rreth 20 kilometra në dalje të qytetit të Elbasanit, një masiv i madh dheu, si dhe gërryerjet nga prurjet e lumit të Shkumbinit, kanë shkatërruar një pjesë të trasesë së hekurudhës. Për pasojë treni i pasagjerëve që udhëtonte në drejtim të Pogradecit nga stacioni hekurudhor i Tiranës ka mbetur i bllokuar. Ndërhyrja në kohë dhe lajmërimi me telefon nga ana e kontrollorëve të linjës hekurudhore Elbasan–Librazhd, ka shmangur një tragjedi të mundshme. Sipas specialistëve, dëmtimi i argjinaturës së lumit Shkumbin përgjatë trasesë hekurudhore, në vendin e quajtur “tunelet e Mirakës”, ka shkaktuar daljen jashtë funksionit të një pjese të konsiderueshme të saj, duke rrezikuar shembjen e rrugës së hekurt dhe përmbysjen e trenit në këtë zonë. Por kjo, fatmirësisht është parandaluar falë konstatimit të dëmtimeve dhe gatishmërisë së punëtorëve të mirëmbajtjes që kanë lajmëruar në kohë.
Për afro dy orë, treni i linjës së udhëtarëve nuk është lejuar të qarkullojë, ndërsa pasagjerët janë detyruar që të udhëtojnë në drejtim të Pogradecit me mjetet e vëna në dispozicion nga ana e Drejtorisë së Hekurudhave për Qarkun e Elbasanit. Sipas shefit të mirëmbajtjes së linjave hekurudhore, Skënder Sinani, situata është cilësuar kritike. “Shtimi i prurjeve të lumit Shkumbin ka sjellë shkatërrimin dhe dëmtimin e një pjese të trasesë, në një gjatësi rreth 50 metra lineare, e dëmtuar në masën 50 për qind të saj”, ka thënë Sinani. Ndërkaq mësohet se në këtë segment, shkatërrimi është një proces i pandalshëm. Prej disa ditësh, uji rrëmben brenda një 24-orëshi 1.5 metër kub dhera dhe gurë, duke e bërë edhe më të rrezikshme udhëtimin e trenave të pasagjerëve në këtë segment të linjës hekurudhore që lidh Elbasanin me Librazhdin e më gjerë.