
Kur të gjitha ekipet e kategorisë së kanë nisur përgatitjet për fazën e dytë, Sopoti ndihet i braktisur nga të gjithë. Eshtë një situatë e mjerueshme dhe nuk dihet si do të shkojë ky ekip në fazën e dytë. Pas largimeve të shumta, nuk dihet se kur do të nisë stërvitja, ndërkohë që terrenet sportive në Librazhd, pas shirave të ditëve të fundit, janë në gjendje kritike. Megjithëse vazhdon të bëhet një punë e mirë nga punëtorët e fushës, duket se fushat vuajnë probleme të së kaluarës dhe kanë nevojë për një riparim të gjithanshëm.
Nga Sopoti janë larguar gjysma e lojtarëve dhe në ditët në vijim priten largime të tjera, por të habit fakti se askush nuk e vë ujin në zjarr për këtë problem. Nuk janë më pjesë e Sopotit të gjithë elbasanasit, duke nisur nga portieri titullar Miçja, Tirana, Ejupi, Shurkja, por edhe 2 “jabanxhinjtë” e tjerë, Zylyftari dhe Mehmeti. Duke parë këto firo dhe situatën aktuale, ku asnjë prej drejtuesve nuk merr asnjë masë, Sopoti e ka të sigurt rënien nga kategoria. Ndryshe nga një sezon më parë, kur të gjithë ishin të bashkuar dhe bënë të mundur qëndrimin në kategorinë e parë, situata aktuale është e pashpresë. Mbetet për t’u parë çfarë do të bëhet në ditët në vijim.