Pas problemeve me financimin e ekipit te Sopotit e pas largimit te disa lojtareve nuk mund te vononte edhe largimi i trajnerit elbasanas, Ibershimi.

Problemet për ekipin e Sopotit duket se nuk kanë të sosur, kur gjithçka lidhet me anën financiare. Nga ekipi janë larguar shumë futbollistë, pas përfundimit të fazës së parë. U duk sikur nga ana e drejtuesve librazhdas do të merreshin masa për plotësimin e grupit, por po ndodh e kundërta, sepse situata vazhdon të keqësohet. Tashmë është bërë zyrtar edhe largimi i trajnerit elbasanas, Isuf Ibërshimit. I kontaktuar nëpërmjet telefonit, ai ka ka pohuar se shkaku i largimit lidhet vetëm me kushtet financiare:
"Mund të them se kam mbyllur gjithçka me ekipin e Sopotit, që vazhdon të vuajë problemet financiare. Megjithatë, më duhet të theksoj se nuk kam pasur asnjë përplasje me drejtuesit. Jemi ndarë në mirëkuptim të plotë. Janë kushtet financiare ato që më kanë çuar në këtë vendim dhe jo probleme të tjera, siç mund të flitet lart e poshtë. Kam kaluar kohë të bukur te ky ekip, por e ritheksoj se janë problemet financiare që po më largojnë. Sigurisht që do të kisha shumë dëshirë të mos e braktisja Sopotin në këtë gjendje, por futbolli kështu e ka," ā ka thënë trajneri Ibërshimi, i cili i ka uruar suksese Sopotit në vazhdim të kampionatit. Duke parë situatën aktuale, përforcohet ideja se ky ekip do të përbëhet vetëm nga të rinjtë në fazën e dytë, ndërsa stoli pritet t’i besohet trajnerit të tyre, Luan Brazhda.